Vëllai i Presidentit Thaçit lirohet në procedurë të rregullt

Vëllai i Presidentit Hashim Thaçi, Gani Thaçi, është liruar në procedurë të rregullt nga Policia.
Sipas burimeve të kallx.com, Thaçi është intervistuar dhe më pas është liruar.

Gani Thaçi gjatë ditës së sotme është intervistuar nën cilësinë e të dyshuarit, pasi ishte përfshirë në një përleshje qe ka ndodhur në Byronë Kosovare të Sigurimeve ku edhe punon Thaçi.

Viktima e këtij rasti është intervistuar dhe është liruar më pas.

Policia e Kosovës ka konfirmuar një incident i cili ka ndodhur rreth mesditës sot në Prishtinë në të cilin, siç kanë raportuar mediat, ka qenë i përfshirë Gani Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, tha se policia ka marrë një informacion për një përleshje fizike mes tre personave.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore të cilat konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes, po ndërmarrin veprimet e mëtutjeshme hetimore e procedurale”, tha zëdhënësja e Policisë.

Edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e konfirmoi sot se vëllai i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gani Thaçi, ka qenë i përfshirë në një përleshje në mjediset e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, konfirmoi për KALLXO.com se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij janë duke u hetuar si i dyshuar për këtë incident.
“Të dyshuarit janë Gani Thaci dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është inicuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, tha Berisha.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar rreth incidentit ku ishte i përfshirë vëllai i tij, Gani Thaçi.

Ai tha se është njoftuar për përfshirjen e vëllait të tij në një “përleshje sporadike fizike”.
Thaçi tha se asnjëherë nuk do ta arsyetojë asnjë veprim të kundërligjshëm të askujt, aq më tepër në një rast si ky.