Verë me pak bereqet për vreshtarët

Bajram Hodës nuk i bie shpesh të çohet nga blloku në hije skaj rrugës që lidh Therandën me Rahovecin.

Makinat shkojnë e vijnë përgjatë Samadrexhës – Hoda ngulmon se vendasit i referohen si Samadraxhë – por asnjë shofer nuk ndalet për t’ia blerë ndonjë gajbe. Dy euro e gjysmë është çmimi për gajbe me rreth pesë kilogramë rrush.

“Nuk shes tan ditën ma shumë se me shku me punu ni dit argat”, thotë plaku me plis, që rri në këmbë gjatë kohës së zhvillimit të bashkëbisedimit. Vendin s’e luajnë vëllai Kadri Hoda dhe kushëriri Asllan Shukaj. I bëjnë shoqëri gjithë ditën. Matanë rrugës ndodhet një kafene, ku rrufisin ndonjë kafe sa për të ndërruar vend, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kadri Hodën si me zor po e ndihmon në vreshta i biri i papunë, edhe pse ka kryer studimet master në Fakultetin Ekonomik. Madje po i ankohet pse i bëri presion të kryente studimet në Kosovë. “Po më thotë pse më shtine me shku n’shkollë e nuk m’le me dal jashtë”, tregon Hoda, duke shtuar se janë kushërinjtë në Zvicër që po e ndihmojnë financiarisht të birin e tij.

“Djali del kur do me dalë”, ndërhyn Bajrami Hoda. “E qysh me u martu pa punë”, shton Kadri Hoda.

Thotë se dy hektarë tokë poshtë fshatit i ka lënë “batall”, siç shprehet, kur tregon për tokën e papunuar. Me rrënjë ka nxjerrë një pjesë të madhe të hardhisë së rrushit në faqen kodrinore poshtë tezgës së improvizuar. Por nuk është ndarë i kënaqur edhe me pjesën e punuar me përkushtim.

SHPËRNDAJE