Veseli në Has: Bashkë ishim në luftë dhe bashkë jemi edhe në paqe

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar gjatë mbrëmjes së të enjtes, banorët e Hasit.

Veseli ka postuar disa fotografi në Facebook, që tregojnë takimin me një numër të banorëve të Hasit në komunën e Prizrenit.

Kandidati i PDK-së për kryeministër të ardhshëm, Kadri Veseli, ka kujtuar kohën e luftës dhe pritjen që ia kishin bërë hasjanët.

“Mysafir i hasjanëve, mikpritja e të cilëve është gjithmonë e përzemërt dhe bujare. Kam kaluar shumë ditë e net gjatë luftës në familjet hasjane. Dyert e tyre ishin përherë të hapura për luftëtarët e lirisë.

Bashkë ishim në luftë dhe bashkë jemi edhe në paqe, në përpjekje për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë dhe vendin tonë”, ka shkruar Veseli.