Vetëm 7 deputetë nga 19 sa i numëron Lëvizja Vetëvendosje, votuan rezolutën e Partisë Socialdemokrate për rritjen e pagës minimale. Albin Kurti, Glauk Konjufca, Fatmire Kollçaku, Arbërie Nagavci, Arbër Rexhaj, Drita Millaku dhe Ali Lajqi janë 7 deputetët që dhanë votën për, kurse 12 të tjerë nuk morën pjesë fare në votimin e rezolutës së ish-kolegëve të tyre, ani pse shumë nga ta ishin pjesë e seancës gjatë ditës.
Kjo gjë ka shkaktuar pakënaqësi edhe në mesin e përkrahësve të partisë së Albin Kurtit. Ish-kandidati për deputet nga kjo parti, Rashit Gashi, po ashtu aktivist sindikal, ka kritikuar gjithë deputetët që nuk votuan për rritjen e pagës minimale, përfshirë edhe 12 deputetët e VV-së. Gashi e ka quajtur këtë veprim papërgjegjësi dhe indiferencë të deputetëve. duke iu kujtuar se ata kanë paga dhjetëfish më të mëdha sesa punëtorët. Madje, ai u shpreh i zhgënjyer se disa nga këta deputetë i ka votuar.
Në cilësin e një aktivisti Sindikal, jam i prekur thellë nga pa përgjegjësia dhe indiferenca e disa Deputetëve që ishin prezent në sallë sot dhe nuk e mbështeten rezolutën për ngritjen e pagës minimale.
“Ju deputet të nderum, që merrni 15 herë më shumë se sa një i ri nën moshën 35 vjeç, a nuk ju erdhi turp të qëndroni në sallë si “Kukulla” dhe mos të siguroni një pagë të dinjitetshme të dhjetra mijëra punëtorëve.Paga e deputetit aktualisht: 2031€. Paga minimale aktualisht: 130€. Secili punëtor e votues i këtyre deputetëve, që i votuan dje e i përfaqësojnë sot, duhet t’i pyesin dhe t’i marrin në përgjegjësi të tillë”, ka shkruar ai në facebook.
Rezoluta e PSD-së kaloi dje në Kuvend me 61 vota për dhe një abstenim.