Vetëvendosje befason me kandidatin për kryetar të Vushtrrisë

Përderisa Lëvizja Vetëvendosje në disa qytete është përcaktuar për kandidaton që do të garoj për kryetar komune, këtë gjë  nuk e ka bërë akoma në Vushtrri.

Deri fund të muajit të kaluar emri më i përfolur ka qenë deputetja e VV-së, Aida Dërguti, por ajo duket se nuk ka shprehur interesim për këtë pozitë. Këtë në mënyrë indirekte e ka pranuar edhe shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili ka lënë të kuptohet se ajo punën e saj do të vazhdoj në Kuvendin e Kosovës, pasi që bëri të ditur se kryesia e VV-së ka vendosur që Aida Dërguti të vazhdojë ta përfaqësojë partinë në Kryesi të Kuvendit.


Veriu.info e ka pyetur Aida Dërgutin se a do të kandidoj për kryetare të komunës së Vushtrrisë, por ajo nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, në një prononcim për Veriu.info ka thënë se Vushtrri ende nuk është përcaktuar kandidati, pasi që cilido që shpreh interesim të garoj, duhet t’i nënshtrohet  votimit të anëtarësisë.

“Siç dihet, kandidimi i kryetarëve nëpër komuna i VV-së dallon me partitë e tjera. Kjo për shkak të demokracisë së drejtpërdrejtë, ku secili kandidat votohet në komunat përkatëse. Deri tash ky proces ka ndodhur ne Prishtinë, Viti, Lipjan, Istog e Gjilan. Në Vushtrri, ende procesi nuk ka mbërritur në këtë fazë dhe rrjedhimisht ende nuk janë shpallur kandidaturat. Ajo që mund të themi tani është që në Vushtrri zgjedhjet e 11 qershorit na kane nxjerrë forcë të parë dhe tregon se ky qytet është i gatshëm për ndryshim. Presim që në këtë garë të kemi kandidat sa më të fuqishëm që e mundëson që të ketë ndryshim”, ka thënë Hoti për Veriu.info.

Burime të portalit Beriu.info bëjnë të ditur se VV në Vushtrri për kryetar komune do ta kandidoj Besim Muzaqin, i cili do të tentoj ta marrë pushtetin komunal, të cilin e drejton Bajram Mulaku i PDK-së për 10 vite rresht.

Ndryshe, deri tash në Vushtrri PDK-ja ka zyrtarizuar kandidaturën e Ferit Idrizit për kryetar komune, AAK-ja Lutfi Bilallin, ndërsa LDK-ja i ka propozuar katër emra për të cilët do të vendos kryesia qendrore./Veriu.info/




  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE