Vetëvendosje e vetme në protestën e 29 shtatorit?! Flasin zyrtarët e partive opozitare!

Protesta e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje për ditën e shtunë (29 shtator), siç duket do t’a gjejë të vetme Lëvizjen si parti opozitare. Kjo për shkak se partia e Kurtit nuk i ka dërguar ftesë edhe dy partive të tjera opozitare Partisë Socialdemokratike e Alternativës. Ndërsa, Partia e Isa Mustafës përkundër ftesës nuk i ka dhënë përkrahje kësaj proteste, sipas tyre në këto momente nuk është koha për një veprim të tillë, shkruan Gazeta Blic. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë Alternativa, Ilir Deda në prononcimin për “Gazet Blic”, ka ritheksuar se nuk do ta përkrahin protestën e Vetëvendosjes të paralajmëruar për datën 29 shtator.Deda në përgjigjën e tij ka thënë se Alternativës nuk i është bërë ftesë nga ana e VV-së, andaj, nuk kanë se çka të përkrahin.

“Ne jemi prononcuar në emër të partisë edhe Mimoza edhe unë kështu që nuk kam me shtu më shumë, ai është qëndrimi i Alternativës”, ka thënë shkurt Deda, përcjell Gazeta Blic.

Deputeti i Alternativës: Ilir Deda

Ditë më parë Ilir Deda kishte deklaruar se vendimi i kryesisë së Vetëvendosjes për t’i përjashtuar partitë e tjera opozitare në këtë rast Alternativën e PSD-në është një filozofi përçarëse.Sipas tij në protestë duhet të dalin që të katra parti opozitare, pra, LDK, VV, PSD e Alternativa ose asnjëra.

“Vendimi i Kryesisë së Vetëvendosjes ka qenë që në protestë me u ftu vetëm LDK-ja, në rregull. Ata kanë vendos me përjashtu partitë e tjera opozitare. Alternativës nuk i është bërë ftesë. Unë nuk kam asgjë kundër por nuk bëhet kështu kjo punë. A jemi katër parti opozitare në Kuvend, jena, a jemi gjithë kundër Thaçit jemi. A nuk po arrijmë me bë atë që po dëshirojmë në Kuvend jo. Atëherë ose dalim të katërta në rrugë ose asnjëra hiç.
Veprimi i Vetëvendosjes është një asi filozofie përçarëse dhe kotë është kjo punë se në fund të gjithë kemi me dalë humbës”, kishte thënë Deda raporton Gazeta Blic.Edhe Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari- Lila ka kritikuar Kreu e Lëvizjes, Albin Kurtin duke i thënë se duhet ta lë anash diskursin që po përdor duke injoruar partitë tjera opozitare.

Kryetarja e Alternativës: Mimoza Kusari- Lila

“Është koha për z. Kurtin por edhe për të tjerë udhëheqës që nëse marrin një iniciativë, duhet të dinë se duhet të afrojnë njerëz dhe jo të largojnë e të etiketojnë”, ka thënë ajo.“Mirë, e kanë ftuar një parti por gjithashtu është PSD-ja dhe jemi ne parti opozitare. Për gjithkënd që do të jetë vendimmarrës atëherë duhet të marrë përgjegjësi dhe të ndryshoi tonin. Ne jemi të gatshëm që të ulemi dhe diskutojmë se cila është agjenda dhe platforma”, ka thënë Kusari-Lila.
“Ne nuk kemi çfarë të përgjigjemi sepse nuk jemi të ftuar”, tha ajo.Të njëjtin arsyetim kanë pasur edhe zyrtarët e PSD-së, kur u pyetën se a do të marrin pjesë në protestën e organizuar.Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, ka thënë se ftesat e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunim janë organizime partiake, të cilave nuk ju dihen qëllimet dhe për këtë ka thënë se nuk bëjnë bashkëpunime me VV-në.

Nënkryetari i PSD-së: Visar Ymeri

“Ne po të akordoheshim do të bashkëpunonim me Vetëvendosjen për të çuar procese përpara. Përndryshe ftesat ose organizimet e Vetëvendosjes janë organizime partiake, të cilat ne nuk jemi të njoftuar as për synimet që i kanë e as për qëllimet që i kanë, dhe ne e kemi të pamundur të bashkëpunojmë në kushte të tilla”, ka thënë Ymeri.Ymeri ka thënë se bashkëpunimi asnjëherë nuk bëhet përmes nënçmimit të tjetrit.“Bashkëpunimi opozitarë asnjëherë nuk bëhet përmes nënçmimit të tjetrit, dhe në kushte të tilla pamundësohet bashkëpunimi i cili është i qëllimshëm”, ka thënë Ymeri.Në anën tjetër protesta e VV-së nuk po gjen përkrahje as nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ani pse kësaj të fundit i dërguan edhe ftesën.Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu pas mbledhjes së partisë në ditën e djeshme u prononcua për media.Veliu ka thënë se LDK nuk i është përgjigjur ftesës së VV për protestë për shkak se tani nuk është koha.Nënkryetari është shprehur i bindur që protesta është opsioni i fundit, duke mos e përjashtuar kështu që një ditë vet LDK të kërkojë protestë.

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Podujevës-Agim Veliu

Sipas tij përpara kësaj proteste LDK ka për të ndërmarrë edhe disa veprime të tjera, duke folur për mocionin ndaj Qeverisë Haradinaj.“LDK nuk është kundër shprehjes së vullnetit qytetarë qoftë edhe nëpërmjet protestave,mirëpo, ne si kryesi nuk e kemi vlerësuar se është momenti për protestë që të thërrasim protesta, për arsye se mendojmë që na kanë mbetur edhe 2-3 veprime për ti bërë të cilat janë të rëndësishme dhe pastaj për ne vjen në pyetje hapi i fundit i cili është protesta të cilën nuk e përjashtojmë, por, nuk do ti përgjigjemi ftesës së Vetëvendosjes sepse ne kur e vendosim për protestë do ta organizojmë vetë si LDK”, ka deklaruar Veliu shkruan Gazeta Blic.Veliu ka thënë se LDK fillimisht do të ngrisë mocionin pastaj do ta vendos se a do të dalë apo jo në protestë.Ai më tej është shprehur i bindur që LDK kur të ngrisë mocionin do të ketë përkrahje edhe nga deputetët e pozitës.“Pas mocionit nëse nuk do të ketë sukses, atëherë ne do ta diskutojmë edhe mundësinë e protestës”, tha ai.

Ndryshe, Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu ka dalë në përkrahje të protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.Sejdiu ka thënë se me datën 29 shtator në ora 14:00 do të ndodhë protesta e qytetarëve të Kosovës duke shtuar se të gjithë kemi përgjegjësi që të revoltohemi ndaj komplotit të planifikuar nga disa kriminelë pushtetarë për shkatërrimin e Republikës.Sejdiu ka theksuar se qytetarë, politikanë, shoqëri civile, studentë, pensionerë, profesionistë, diasporë, e njerëz të pavarur janë të obliguar që të dalin në mbështetje të çdo nisme të njerëzve të vullnetit të mirë kundër një skenari të kobshëm, përfshirë edhe këtë protestë.Deputeti Sejdiu ka bërë thirrje që protesta të jetë paqësore pasi sipas tij dhuna shkon në favor të zaptuesve të shtetit.Theksojmë se Vetëvendosje përmes protestës të së shtunës synon që t’ia ndalojë presidentit Hashim Thaçi, që të negociojë për territorin e Kosovës në dialogun me Serbinë.Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, ka thënë se pazaret për territor të presidentit Thaçi me homologun tij serb Vuçiq, janë të rrezikshme dhe duhet të ndalen.

SHPËRNDAJE