Vetëvendosje kërkon nga Thaçi diçka

Zvarritja e emërimit të anëtarëve të KQZ-së nga presidenti Hashim Thaçi, ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të kërkojë emërimin sa më të shpejtë të anëtarëve në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2017.

Deputetja e kësaj partie Albulena Haxhiu sot në konferencë për media ka njoftuar se presidentit i është dërguar kërkesë që sa më shpejtë të aprovohen dy anëtarët e propozuar nga ta.

“Anëtarin e deritanishëm zotëri, Adnan Rrustemi dhe zonjën, Nazlie Bala. Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga presidenti që sa më parë të konfirmojë dy anëtarët e propozuar të KQZ-së që do të përfaqësojnë Lëvizjen Vetëvendosje në këtë mandat, dhe që ky person të tërhiqet nga skenar të tillë për të tregtuar përbërjen e KQZ-së. Çfarëdo vendimi tjetër përveç asaj që na garanton kushtetuta, ligji dhe rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit, do të jetë i pa pranueshëm dhe do të kontestohet në gjitha rrugët ligjore dhe kushtetuese”, tha Haxhiu, përcjell KosovaPress.

Deputeti Xhelal Sveçla tha se ka mbi një vit që KQZ-ja po mbahet peng nga Thaçi.

“Këtyre ditëve, kur i përfunduan gjitha skenarët e mundshëm, po synon ta degradojë KQZ-në deri në rrënim, përmes emërimit të anëtarëve të KQZ-së në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, praktikën e deritanishme, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për grupet parlamentare dhe standardet ndërkombëtare për trupat administrimit të zgjedhjeve. KQZ- ka nevojë për t’u ndihmuar dhe përmirësuar, e jo për të bllokuar dhe degraduar. Si institucion i rëndësishëm për demokracinë në vend, ai nuk mund të përdoret për pazare të politikës ditore, në interesa personale, apo grupore”, shtoi ai.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka rreth një vit që është jo funksional pasi anëtarëve u ka kaluar mandati.

Partitë opozitare, veçmas LDK-ja dhe Vetëvendosje e kanë akuzuar Thaçin për shkelje të detyrave kushtetuese, dhe kanë përsëritur që meritojnë nga dy anëtarë në këtë organ.

SHPËRNDAJE