Vetëvendosje pas protestës: Kriza politike zgjidhet pa shkelur Kushtetutën vetëm duke shkuar në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosje me anë të një shkrimi në Facebook ka bërë një rezyme të protestës së sotme.

LVV-ja njofton se e vetmja mënyrë për ta zgjidhur krizën politike pa e shkelur Kushtetutën është shkuarje në zgjedhje.

Njoftimi i plotë i VV-së:

Sot mbi 5 mijë pjesëmarrës, një pjesë e vogël e qytetarëve që mbështesin ndryshimin, treguan se protesta është e mundshme të organizohet edhe në këtë kohë, duke respektuar masat e rekomanduara nga Institucionet e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Pjesëmarrja masive, e organizuar në formën e një performance, dëshmoi edhe njëherë se vullneti i shumicës së qytetarëve është që kriza politike të zgjidhet pa e shkelur kushtetutën, dhe e vetmja mënyrë për këtë është që të organizohen zgjedhjet sa më parë.

Asnjë zhvillim politik nuk mund të jetë i shëndetshëm nëse shmang mundësinë e protestës qytetare. Në vendin tonë, edhe pse shumë ish-pushtetarë nga e kaluara do ta dëshironin mungesën e saj, prova e sotshme na dha edhe përvojën edhe dijen se mund të organizohemi në numër edhe më të madh nëse është nevoja, gjithmonë duke respektuar masat e Institucioneve të Shëndetësisë.

Nuk na mungon vullneti për ta mbrojtur rendin demokratik. Nuk na mungon vendosmëria për të refuzuar nënshtrimin ndaj regjimit të vjetër. Janë këto provat e fundit për llojin e rendit dhe shoqërisë që e aspirojmë. Duam zgjedhje sa më parë!

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE