Vetëvendosje zyrtarisht kundër Behgjet Pacollit, ja çka ndodhi

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, është shprehur kundër propozimit të kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli për krijimin e një qeverie gjithpërfshrëse.

Sipas Konjufcës, një qeveri e tillë nuk do të ishte në favor të partisë së tij por as për qytetarët e vendit, pasi që siç tha ai në këtë mënyrë do të amnistoheshin ata që e kanë qeverisur deri më tani vendin.

“Një qeveri gjithpërfshirëse do të pamundësonte rritjen e Vetëvendosjes dhe do ta pamundësonte rënien e PDK-së, po ashtu do të ishte një lloj amnistije për të gjithë ata që e kanë qeverisë Kosovën deri më tash, zgjidhja më e mirë që PDK-ja të shkojë në opozitë”, tha Konjufca për televizionin publik.

Tutje, ai ka shtuar se në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit qytetarët me votën e tyre kërkuan që PDK-ja të shkojë në opozitë, gjë që sipas tij do duhej të ndodhte.

Ndryshe, kreu i AKR-së Pacolli iu ka dhënë 10 ditë afat LDK-së dhe VV-së për të gjetur një zgjidhje për zhbllokimin e vendit nga ngërçi politik. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, lideri i AKR-së ka paralajmëruar se vota e tij do të shkojë për koalicionin PAN, pasi që siç ka thënë ai nuk është i interesuar që vendi të mbetet edhe më tutje pa institucione. / Gazeta Blic/

SHPËRNDAJE