Vjen lajmi i shumëpritur për bujqit e Kosovës

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të kryesuar nga kryeministri Hoti është miratuar propozim vendimi për Planifikimin dhe zbatimin e Programit për rimëkëmbje ekonomike, raporton Gazeta Online Veriu.info

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe propozim vendimin për dyfishimin e vlerave të pagesave direkte për subvencione për vitin 2020 me qëllim të zbatimit të programit për rimëkëmbje ekonomike në bujqësi.

“Sivjet, do të paguajmë dyfish subvencionet për të gjitha kulturat e përfshira në Programin për Pagesa Direkte për vitin 2020: për grurin, misrin, elbin, cilësinë e qumështit, krerët e lopëve dhe buallicave qumështore, delet, dhitë, dosat, pulat, vreshtat, verën, bletët, mjedrën, peshkun, BMA-të dhe të gjitha kulturat dhe masat tjera të përfshira në PPD2020”, bëri me dije ministri i MBPZhR-së, Besian Mustafa në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës të mbajtur sot (28 shtator 2020).

Tutje, ministri Mustafa tha se, ky hap është ndërmarrë si masë për t’i dalë ballë sfidave me të cilat po ballafaqohet sektori bujqësor gjatë pandemisë COVID-19.

“Prandaj, që nga dita e parë e Qeverisë Hoti, si pjesë integrale e Programit qeverisës, në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike, kemi paraparë dyfishimin e subvencioneve vetëm për vitin 2020”, tha tutje ministri Mustafa, duke shtuar se dyfishimi i subvencioneve, do të rritë substancialisht fondet që bujqit do të kenë në xhirollogaritë e tyre për të investuar edhe më shumë në bujqësi.

Me këtë dyfishim, në industrinë e qumështit, cilësia do të paguhet me: 12 cent për litër të klasës ekstra, 8 cent për klasën e parë dhe 4 cent për klasën e dytë.

Me nga 140 euro do të paguhet për krerë të lopëve dhe buallicave qumështore, 30 euro për dele dhe dhi. Dyfish do paguhet edhe subvencioni për pulat vojse, 1 euro për thëllëza, 40 euro për dosa në riprodhim, 100 euro për therjet e gjedhit në thertore të licencuara dhe 40 cent për kilogram të peshkut. Bletaria dhe mjedra sivjet do të subvencionohen me 30 euro çdo koshere dhe me 16 cent çdo kilogram i mjedrës.

Për t’u siguruar që këto fonde do të shkojnë në vendin e duhur, pra për të ndihmuar bujqit, ministri Mustafa paralajmëroi rritjen e kontrollit dhe monitorimit të vazhdueshëm para se të realizohen pagesat. /Veriu.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE