Vjen rrëfimi i ish-ushtarit të UҪK-së, i cili i mbijetoi masakrës së Lybeniqit

Ish-ushtari i UҪK-së, Miftar Ukshini është personi i cili i mbijetoi masakrës së Lybeniqit.

Ai në emisionin “Personale” ka rrëfyer detaje të padëgjuara më parë për masakrën që forcat serbe kanë bërë në fshatin Lybeniq të Pejës.

Ukshini iu bashkua UÇK-së në maj të vitit 1998 dhe aktivitetin e tij e ka vazhduar deri në transformimin e UÇK-së në TMK, ku më pas ka vazhduar jetën si një qytetar i zakonshëm.

Ai tregon se përderisa po shërbente në UÇK me një bashkëluftëtar kishin vendosur të shkonin një në Lybeniq për një vizitë nëpër familje.

Por, mëngjesin e ditës së nesërme policia serbe kishin rrethuar fshatin ku kishin grumbulluar popullatën dhe kishin urdhëruar të largohen drejt Shqipërisë.

Ukshini tregon se në mesin e këtyre personave kishte mbetur edhe ai. Tregon se uniformën e kishte nën rrobat civile.

Siç rrëfen më tej ish-pjesëtari i UÇK-së, sapo kishin filluar të lëviznin banorët, serbët kishin lënë pa shenja jete Adem Bushatin.

“Kur e kanë qëlluar Ademin, ushtari serb u kthye në drejtim timin për të mëqëlluar. Këtë ngjarje e rrëfen edhe vet ushtari serb në një intervistë për “Jeta në Kosovë”, kam shtënë ndaj tij tri herë, ai është rrëzuar dhe unë kam ikur. Ai ymërli, unë ymërli”.

Ukshini, thotë se pas kësaj ngjarjeje ai është kthyer në Strellcë ku edhe e kanë pasur një pikë UÇK-ja.

Por pas pesë apo gjashtë ditësh, ai bashkë me nipashin që e kishte bashkëluftëtar, vendosin të kthehen përsëri në Lybeniq për të parë çfarë ka ndodhur dhe për të mësuar për fatin e babait të tij.

“Kemi hyrë në fshat dhe jemi takuar me trupin e pajetë të Ademit dhe Jashar Hamzaj. I kam thënë nipashit se nuk mundemi me shkua më tej se nuk po ndihem mirë. Jemi kthyer përsëri në Strellc. Më datën 9 prill përsëri kemi hyrë në Lybeniq dhe kemi parë të gjithë pa shenja jete nga forcat serbe”, tregon më tej Miftar Ukshini, përcjell Telegrafi.

Ai tregon se trupat e shqiptarëve të qëlluar në Masakrën e Lybeniqit kanë mbetur mbi dhe 18 ditë pa mundur t’iu dhënë lamtumirën e fundit dikush.

“Askush nuk ka mundur t’iu jap lamtumirën e fundit atyre, pasi numri i ushtarëve të UÇK-së që ishin në pikën e Strellcit ishin jo më shumë se 16 sosh, dhe ata nuk kishin as fuqi për t’iu dhënë lamtumirën e fundit aq shumë persona”.

Sipas tij disa nga të mbijetuarit kanë arritur të largohen me plagë posa kishte rënë mbrëmja. Në mesin e këtyre ka qenë edhe babai i Miftarit, Demush Ukshinaj.

Siç tregon më tej Ukshini, trupat e të pajetë i kishin marrë forcat serbe me kamionët e higjienës dhe i kanë dërguar në Pejë për t’i zhdukur gjurmët.

“Disa nga këta trupa i kemi gjetur në Pejë, ndërsa disa të tjerë nëpër Serbi”, tregon ndër të tjera Demush Ukshinaj.

SHPËRNDAJE