Vjosa Osmani i tregon Thaçit dokumente ku Ibrahim Rugova betohej se do ta ruante territorin e Kosovës

Deklarimet e sotme të presidentit Hashim Thaçi se për idenë e korrigjimi të kufijve fillimisht ka dëgjuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, nga ish-kreu i Kuvendit, Nexhat Daci, e më pas edhe nga Lufti Haziri, ka nxitur reagime të ashpra të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Fillimisht kishte reaguar shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti, i cili ka thënë që Thaçi nuk mund të shfrytëzojë Ibrahim Rugovën për të legjitimuar idetë e tij për ndarje të Kosovës.

Pas Hotit ka reaguar edhe deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, e cila ka sjellë një dokument, ku shihet se si ishte betuar Ibrahim Rugova me rastin e zgjedhjes president.

Sipas Osmanit ata që dëshirojnë ndarjen e Kosovës nuk mund të gjejnë mbështetje tek idetë dhe veprimet e Ibrahim Rugovës.

“Ja se si betohej Presidenti Rugova për mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës. Avokuesit e copëtimit të Kosovës, kur kontestojnë shtetësinë tonë me veprimet e tyre, nuk mund të gjejnë mbështetje as tek idetë e as tek veprimet e arkitektit të shtetit sovran të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani, shkruan Gazeta Express.

SHPËRNDAJE