Vuçiqi pas samitit virtual: Serbia s’pranon ultimatum

Përfundon “samiti virtual” i Parisit, Vuçiqi thotë se Serbia s’pranon ultimatum

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar të premten se shteti i tij është i gatshëm të flasë rreth hapave për përmirësimin e marrëdhënieve, por jo edhe për ultimatume, duke paralajmëruar se të dielen do të organizohet një video-konferencë, si fillim formal i dialogut Kosovë-Serbi, teksa të enjten edhe takimi zyrtar në Bruksel, raportojnë mediet serbe.

“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, ka thënë presidenti i Serbise.

Vuçiq ka thënë se do të jenë nën presion të madh dhe njëkohësisht po përballen me “me çasje totalisht joreale të shqiptarëve të Kosovës që duan çdo gjë, e Serbia të mbetet pa asgjë”.

“Ne marrim pjesë në dialog nën ombrellën e BE-së, është e rëndësishme për ne”, ka shtuar presidenti serb. “Pala shqiptare kanë thënë se asociacioni komunave serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre. Nëse nuk jeni në gjendje ta plotësoni këtë për shtatë vjet e gjysmë, si mendoni të plotësoni gjërat tjera.”