VV në konferencë për media: Kërkon shkarkimin e Driton Selmanajt nga pozita e zv/kryeministrit

Shefi i grupit parlamentar të VV’së, Liburn Aliu ka kërkuar dorëheqjen e Driton Selmanajt nga pozita e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës.

Aliu në një konferencë për media ka thënë se moslargimi i Selmanajt është fyerje për viktimat e luftës në Kosovë.

“Çdo ditë që kalon pa marrë masa për largimin e Driton Selmanajt, është fyerje për të pagjeturit dhe viktimat e luftës në Kosovë. Në solidarizim dhe indinjatën e thellë me familjarët e viktimave, presim që të njëjtin së shpejti ta shkarkojnë nga pozita që zyrtarisht e mban.”, tha ai, raporton, ballkani.info

Kujtojmë se interpelanca e Kuvendit për të pagjeturit, ditën e enjte ëshë përcjellur me shumë tensione, fillimisht pati përplasje mes Arben Gashit të LDK’së e Saranda Bogujevcit të LVV’së, e cila është e mbijetuar e masakrës në luftën e fundit në Kosovë.

Debati vazhdoi edhe nëpër studiot televizive, i ftuar në emisonin “Pressing” në T7, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj i tha gazetarit Parim Olluri se “jemi lodhë me kësi qasje”.

Deklarata e tij u shpërnda me të madhe në rrjetet sociale dhe më pas u inicua edhe një peticion për shkarkimin e tij.