VV: Peticioni për zgjedhje të reja më i madhi që nga paslufta

Lëvizja Vetëvendosje thotë se peticioni me kërkesën “Duam Zgjedhje” është peticioni më i madh që nga paslufta. Zëdhënësi i partisë, Përparim Kryeziu i ka thënë Gazetës Express se deri më tani janë mbledhur rreth 250 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës të cilët kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Sot bëhen një muaj që kur Avdullah Hoti i LDK’së mori drejtimin e qeverisë së re në një koalicion me AAK’në, Nismën dhe minoritetet.

Një muaj janë bërë edhe nga peticioni i nisur prej Lëvizja Vetëvendosje pas rënies së qeverisë Kurti me kërkesën për zgjedhje të reja, i cili ka arritur të grumbullojë rreth 250 mijë nënshkrime .

Vetëvendosja nënshkrimet e grumbulluara deri më tani i ka cilësuar si peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës.

“”Peticioni me kërkesën “Duam Zgjedhje”, një muaj pas, ka rreth 250 mijë nënshkrime të qytetarëve. Nëshkrimet e reja çdo ditë po regjistrohen, derisa interesimi i qytetarëve për t’iu bashkangjitur thirrjes për zgjedhje ka qenë i paluhatshëm. Ky peticion tanimë është më i madhi që nga paslufta. Duke qenë kështu, është treguesi i qartë i mobilizimit të vullnetit të qytatetarëve rreth një kërkese demokratike, siç janë zgjedhjet e prej nga buron e legjitimohet demokracia”, kanë thënë nga Zyra për media e VV’së

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar po ashtu se peticioni ka hyrë në një fazë të re, ku grumbullimi i nënshkrimeve do të bëhet nga ekipet mobile të kësaj partie në terren.

“Nënshkrimet e grumbulluar deri tani janë në kuadër të peticionit online dhe pikave grumbulluese ose tendave të vendosura në sheshet e komunave të Kosovës. Së fundmi, peticioni ka hyrë në një fazë të re dhe më dinamike. Me këtë rast grumbullimi i nënshkrimeve do të bëhet nëpërmjet ekipeve mobile në terren të cilat do të jenë prezente në secilin fshat e në secilën lagje, për të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi objektive për ta nënshkruar peticionin.”, ka thënë për Express të premten zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu.

Lëvizja Vetëvendosje sot përmes një konferencë për media kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më parë.

“Lëvizja Vetëvendosje kërkon unifikim të të gjithë spektrit politik të Kosovës për të çuar vendin drejt zgjedhjeve sa më parë”, ka thënë deputeti Hajrulla Çeku në konferencën e organizuar nga VV’ja.

Ndryshe pro kërkesës për zgjedhje të reja të VV’së është edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Kryekuvendarja në një diskutim virtual që ka mbajtur dje së bashku me deputetin zviceran, Cedric Wermuth, eurodeputeten Viola Von Cramon dhe kryetarin e VV’së, Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet e reja duhet të mbahen sa më shpejt që është e mundur.

“Kur do të ketë zgjedhje? Të jem e sinqertë nuk e di. Shpresoj që kjo të bëhet së shpejti. Është me rëndësi zgjedhjet të ndodhin, të kthehemi tek populli, të rilegjitimohemi sikur pozita ashtu edhe opozita. Mendoj gjithashtu se dialogu është me rëndësi, por nuk e përbën jetesën në Kosovë, papunësia dhe luftimi i korrupsionit janë me rëndësi jetike”, ka deklaruar ajo

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE