Zbulohet biseda për Kosovën mes Erdoganit dhe Vuçiqit

Ibrahim Kalin, zëdhënës i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan është shprehur i kënaqur me pritjen që Serbia i ka bërë presidentit të Turqisë. Ai e ka quajtur të jashtëzakonshme atmosferën në vizitën e Erdoganit në Serbi, shkruan Insajderi

Kalin më tej ka treguar për diskutimet mes dy presidentëve, Erdogan dhe Vuçiq. Ai ka thënë se Erdogan i ka dhënë mbështetje zhvillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Bëmë thirrje që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Problemet e tilla kërkojnë, kohë, udhëheqje, durim dhe mençuri”.

Sipas asaj që raporton B92, Kalin ka thënë se dialogu është çështje mes Prishtinës dhe Beogradit, por “nëse Turqia do të mund të ndihmonte ndonjë gjë do të ishte e lumtur”.

“Ne mbështesim plotësisht procesin dhe shpresojmë se do të përfitojë të dy komunitetet dhe të gjithë rajonin. Nëse mund të bëjmë diçka për ta lehtësuar ose për ta shpejtuar atë, ne do të jemi të lumtur ta bëjmë atë,” tha Kalin.