Zëvendësministri Matoshi i quan monstrumë ata që “i dëshirojnë vdekje Isa Mustafës”

Zëvendësministri i Kulturës, Halil Matoshi, ka reaguar ashpër ndaj personave të cilët kanë komentuar në profilin e kreut të LDK-së, Isa Mustafës, duke i “dëshiruar vdekje”, pasi ka njoftuar se është infektuar me COVID-19.

Matoshi ka thënë se persona të tillë janë qenie primitive dhe monstrumë.

“E papranueshme!Të gjithë ata që i gëzohen lajmit se lideri i LDK-së, Isa Mustafa, paskësh dalë pozitiv në testin e Coronavirusit dhe që komentojnë duke i dëshiru vdekje një njeriu, me lehtësi të padurueshme, janë thjeshtë qenie primitive, monstrumë.

I trishtueshëm fakti se çfarë brezi me mendësi mizore, ka kriju lëvizja antiestabilishment, përmes mobilizimit populist në Kosovë!?”, ka thënë Matoshi.

Ai madje ka thënë se policia e krimeve kibernetike duhet të merret me profile të tilla të ‘facebook’.

“P.S.Policia hetuese e krimeve kibernetike duhet me u marrë dendur me këto profile në Facebook, sepse ky soj njerëzish janë vrasës potencialë”, ka përfunduar Matoshi.

Sot kreu i LDK-së ka njoftuar se ka rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe se gjendjen shëndetësore e ka stabile.

Anëtarët e tjerë të familjes, Mustafa ka thënë se nuk kanë rezultuar pozitiv, derisa ka bërë thirrje për kujdes.

SHPËRNDAJE