Zhvillime të reja në Veri pas vizitës së Thaçit atje

Rruga në hyrje të Zubin Potokut është bllokuar për kalim nga rreth 300 persona të komunitetit serb që jetojnë në atë pjesë të veriut të vendit.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti.

“Diku pas orës 17 është bllokuar dhe vazhdon të jetë e bllokuar rruga nga rreth 200-300 protestues nga komuniteti serb”, ka thënë për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Besim Hoti.

Ai ka shtuar se rruga është bllokuar në afërsi të një pompe të benzinës në hyrje të Zubin Potokut.

Bllokimi i rrugës nga serbët lokal vije pas vizitës së paparalajmëruar të presidentit të venit Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme në liqenin e Ujmanit dhe në pikën kufitare në Bërnjak.

Kujtojmë se presidenti Thaçi nga atje deklaroi se Kosova është unike dhe e pandarë dhe se për të ishte kënaqësi që t`i shijonte bukuritë e natyrës në atë pjesë të veriut të vendit.

“Është një vizitë krejt normale në mrekullitë e vendit tim që ja vlen për t`i vizituar të gjithë qytetarët e vendit tim. Edhe sot nga ky vend i mrekullueshëm i Republikës së Kosovës dërgoj mesazhin më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kosova është një unike e pavarur sovrane”, deklaroi Thaçi.

Ai tha se në këtë vizitë u takua edhe me qytetarë serb të Mitrovicës Veriore.

“Unë si president i vendit i shërbej të gjithëve pa dallim. Ishte kënaqësi që të pijë kafe me serbët e këtij lokaliteti, dhe në këtë ditë të vikendit në mes të dy qytetarëve, në këtë ditë të vikendit si të ishte një piknik”, tha ai.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE