Zhvillimet e fundit: Ekipet po përgatiten të fillojnë kërkimin e Armend Trenës në Lepenc

Pasditen e djeshme është gjetur trupi i policit Malësor Dashi, i cili bashkë me policin tjetër të Kosovës Armend Trena, u zhdukën më 28 prill. Që nga ajo ditë, kërkimet në lumin Lepenc dhe zonën malore përreth nuk kanë pasur të ndalur

Gazeta Express ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, i cili tregoi se si do të shkojnë sot kërkimet për policin tjetër, i cili ende nuk është gjetur Armend Trena.

“Ekipet po bëhen gati për kërkime dhe mund të them se deri tani nuk kemi asgjë të re rreth kërkimeve që nga mbrëmë”, ka thënë Gashi.

Trupi i policit Dashi është gjetur pesë kilometra larg vendit ku kishte ndodhur aksidenti. Trupi i Malësor Dashit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.(Shtyp mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen e plotë)

Kryeprokurori i Prokurorisë themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se nga shikimet e para të kufomës bëhet fjalë për aksident ndërsa hodhi poshtë për dyshime tjera. Ai sqaroi edhe pse në momentin kur është gjetur ka qenë pa rroba.

Për të kërkuar trupat e policëve në lumë dje ka dalë edhe zhytësi profesionist Ismajl Kasumi bashkë me ekipin e tij.

Aksidenti ka ndodhur më 28 prill (të shtunën), në magjistralen Han i Elezit – Kaçanik te vendi i quajtur “Kulla e Çeshmes” vetura e zyrtare e të cilëve bashkë me dy policët ka rënë në humnerë.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE