ZYRTARE: SPANJA HUMB ORGANIZIMIN E KAMPIONATIT EVROPIAN TË PESHËNGRITJES PËR SHKAK TË KOSOVËS

Kohë më parë, qeveria spanjolle kishte lejuar që sportistët e Kosovës të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare, të cilat pritet të mbahen në fund të qershorit në Tarragona, por jo edhe në kampionatin evropian për grupmoshat U-23 në peshëngritje.

Atë kohë kur ky lajm u kuptua, Astrit Hasani, zyrtari i thesarit në Federatën Evropiane të Peshëngritjes ka pohuar se “krejt kjo është politike dhe ne nuk jemi të interesuar dhe ne dëshirojmë të mendojmë se sporti është mbi politikën”. Hasani edhe pse zyrtar i EWF-së, duke qenë zyrtar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, nuk mund të udhëtojë lirshëm në Spanjë si pjesë e delegacionit për shkak të mos njohjes së dokumenteve të Kosovës nga Spanja.

Në fakt Spanja për shkak të këtij qëndrimi, ishte paralajmëruar më datën 27 mars nga Federata Evropiane e Peshëngritjes (EWF), se do të mund ta humbiste të drejtën e organizimit të kampionatit evropian për U-23 në peshëngritje dhe i kishte dhënë një afat prej tre javësh që të reflektojë dhe ta ndryshojë qëndrimin.

Këtë Qeveria e Spanjës nuk e bëri dhe Federata Evropiane e Peshëngritjes (EWF), së fundmi ka njoftuar zyrtarisht se Spanja e ka humbur të drejtën e organizimit të kampionatit evropian në peshëngritje për U-23.

Këtë lajm e ka konfirmuar edhe Federata e Peshëngritjes së Kosovës (FPK), e po ashtu edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

Kampionati në fjalë ishte paraparë të mbahej prej 23-31 tetor 2018, kurse tani pritet të zhvendoset në Poloni.

Javën e kaluar, gjatë Konventës së SportAccordit, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) dhe Asociacioni i Federatave të Sporteve Olimpike Verore, kishte kërcënuar me dënime shtetet që diskriminojnë sportistët e Kosovës me moslejimin e pjesëmarrjes së tyre shkaku i politikës dhe një gjë e tillë duket se dha efektin e saj të dielën.

Spanja është njëra nga vendet e pakta evropiane që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës dhe pasaportat e saj. /Insporti

SHPËRNDAJE