Zyrtare/Inspekcioni: Viva Fresh po i mashtron konsumatorët, po iu jep falas produkte pa afat (Foto)

Në Mitrovicë ka vazhduar edhe të enjten aksioni i inspektorëve komunal për kontrollimin e subjekteve afariste, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe parandalimin e helmimeve eventuale .

Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Mitrovicës, Hysni Ahmeti, ka njoftuar se inspektorët e tij kanë inspektuar edhe Kompaninë Viva Fesh Store në Shupkofc të Mitrovicës, ku me këtë rast kanë hasur në produkt me afat të skaduar dhe mashtrim të konsumatorëve nga përgjegjësit e kësaj kompanie, shkruan Veriu.info.

Inspektori Musa Dibrani njoftoi se me rastin e inspektimit të ambienteve të shitjes në Viva Fresh Store, kanë vërejtur se pronari bashkë me produktin ushqimor-ajvarin, të gjithë blerësve të këtij produkti po u jepte falas edhe një paketim në qese plastike prej 200 gramësh ullinj të verdhë, të cilëve u kishte skaduar afati i përdorimit. Ai tha se sasia e gjetur e produktit me afat të skaduar është konfiskuar.

Drejtori i Inspekcionit Komunal, Hysni Ahmeti, tha se aksionet e tyre për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe për të siguruar zbatimin e ligjit, do të intensifikohen akoma në të ardhmen./Veriu.info

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE