10-përqindëshi i Trustit, përplasje mes ministres Bajrami dhe deputetit Murati

Bajrami dhe Murati përplasen për 10-përqindëshin e Trustit.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha se nuk po pretendojnë të ndihmojnë asnjë qytetarë me tërheqjen prej 10 për qind të trustit, meqë sipas saj ato para janë në llogari personale të secilit të punësuar që ka kontribuar deri më tani.

Bajrami derisa ka reaguar pas fjalimit të deputetit të LVV-së Hekuran Murati, tha se 200 milionë euro të cilat po synojnë t’i vejnë në qarkullim janë mjete të lira.

“Sa i përket tërheqjes së 10 për qind të trustit nga fondi pensional, nuk po pretendojmë t’i ndihmojmë askujt sepse ato janë para në llogari personale të secilit individ që ka qenë i punësuar dhe ka kontribuar aty. Kjo nuk është ndihmë, është thjesht dhënie e qasjes në kursimet e tyre para moshës 65 vjeçare. Edhe më lejoni të ju them që presioni është i paparë nga qytetarët, se dëshirojnë t’i tërheqin këto mjete. Gjithashtu z.Murati se e përmende që tërheqja 10 për qind të kursimeve nga kursimet mund ta dëmtojmë komplet fondin e investuar, më lejoni të ju informojë nga burime të sakta prej trustit, që 200 milionë euro të cilat ne mendojmë t’i vejmë në qarkullim përmes dhënies së qasjes për me pas qasje në këto mjete, janë mjete të lira. Për momentin trusti nuk i ka të investuara askund, dhe meqenëse nuk i ka të investuara atëherë pse jo qytetarët në këtë kohë të krizës ekonomike të mos i tërheqin dhe t’i përdorin”, ka deklaruar Bajrami.

Për këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se nëse i merret likuiditetit tepricë trustit, norma e interesit do të rritet prej mbi 600 milionë euro në letrat me vlerë.

“Nuk e thash atë që e pretenduat, thashë tjetër gjë. Nuk thashë që nuk ka mjete të lira trusti, thashë që edhe ato mjete të lira që i ka nëse i merren, nëse e dini znj.Bajrami, trusti është pjesëmarrës aktiv në secilin ankand të blerjes së letrave me vlerë të qeverisë. Nëse i merren likuiditeti tepricë trustit edhe zbatohet tjetër kund, normat e interesit do të rriten me një portfolio prej mbi 600 milionë euro në letrat me vlerë. Nëse norma e interesit lëviz vetëm për një pikë përqindje më lartë, po flasim për 6 milionë euro kosto shtesë në interes. Pra më lirë nëse do të ishte bërë një analizë, me i marrë borxh ato pare se sa do që do jetë kosto e këtij veprimi”, ka shtuar ai.

E, ministrja Hykmete Bajrami tha se këto mjete të lira të trustit nuk janë të lira për të marrë pjesë në ankandet e qeverisë. Dhe se për këtë kanë pasur me dhjetëra takime, se si të shfrytëzohen ato mjete për qytetarët.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE