A e ka ditur Rugova se lufta do të ndodhë: Sejdiu rrëfen detaje të pazbuluara më parë

I-sh-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, i është kthyer debatit të vjetër lidhur me krahun e luftës dhe të paqes gjatë kohës së paraluftës në Kosovë.

Në rrëfimin për Pressing, Sejdiu ka thënë se Presidenti Rugova ishte i sigurt se lufta do të ndodhte.Madje, sipas tij, Rugova për luftën e dinte që nga viti 1991, kur në Shqipëri kishte nisur stërvitja e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku do të merrnin pjesë edhe Adem Jashari e Zahir Pajaziti.

“Unë them se shumëçka është keqinterpretuar, unë e di se Rugova, pavarësisht se e ka pasë moton apo ecjen e tij në paqe, gjithmonë e ka menduar se do të ndodh lufta. Ka qenë i bindur se ka me ndodh, ka qenë i bindur nga fillimi, nga ’91, kur kanë shkuar njerëzit që të përgaditen në Shqipëri.

Kanë qenë disa qendra stërvitore atje, ku kanë shkuar edhe Adem Jashari e Zahir Pajaziti”, ka thënë Sejdiu në Pressing.

Ish-presidenti ka folur edhe për luftën speciale që ia bënin Rugovës gjatë asaj kohe, deri te bllokimi i fondeve të Presidencës. Sipas Sejdiut, kishte prapavija prej më të ndryshmeve për t’ia krijuar një imazh të keq Rugovës, përfshirë edhe përpjekjet që ai të paraqitjet si një shfrytëzues i papërgjegjshëm i buxhetit të qeverisë së asaj kohe.“Ka qenë një pjesë që i kanë bërë anatemim Rugovës, gjë që i ka bërë dëm lëvizjes.

E kanë luftuar Rugovën në mënyra të ndryshme, deri te bllokimi i fondeve për presidencën”, ka thënë Sejdiu.Por Rugova ishte në dijeni për secilën prapavijë, sepse kishte burime të shumta informacione nga shumë anë, ka theksuar Sejdiu.