Agim Çeku ftohet nga Gjykata Speciale si i dyshuar

Ish-komandanti i shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.

Çeku është ftuar dje nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Lajmin për ftesën e ka konfirmuar vet Çeku

“Po është e vërtetë ftesën e kam pranuar dje, jam ftuar si i dyshuar. Udhëtoj më 28 shtator”,ka thënë shkurt Çeku për Insajderin.

Kujtojmë se se Administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Fidelma Donlon, pas këshillimit me kryetaren Ekaterina Trendafilova, miratoi sot Rregulloren e Ndihmës Juridike në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Rregullorja thuhet se pasqyron praktikat më të mira të standardeve të ndihmës juridike, duke garantuar respektimin e parimeve të gjykimit të drejtë, mishëruar në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe duke mundësuar miradministrim financiar të burimeve të skemës së ndihmës juridike.