Bahtiri: Edhe sot testimet nga Mitrovica për COVID-19 dolën negative, mbetemi të përkushtuar për zbatimin e rekomandimeve të IKShP-së

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka bërë të ditur se as sot nuk është konfirmuar asnjë rast me COVID-19 në Mitrovicë, duke mbetur kjo komunë ndër të pakta që nuk ka asnjë rast të testuar pozitivisht me COVID-19.

I pari i Mitrovicës ka thënë se do mbetet i përkushtuar në zbatimin e të gjitha rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për komunën e tij, transmeton Veriu.info

Ndryshe, sot IKShP-ja i ka konfirmuar edhe 30 raste me COVID-19 në nivel shteti, duke e ngritur numrin total në 510 raste, nga të cilët 12 persona kanë ndërruar jetë.

Postimi i Agim Bahtirit:

Lajm i mirë sonte për Mitrovicën është njoftimi nga IKShP-ja se mostrat e marra për testim me COVID-19 nga qyteti ynë kanë dalë negative. Pra, deri më sot nuk kemi asnjë të infektuar në komunën tonë.

Si kryetar i Mitrovicës mbetem i përkushtuar për zbatimin e gjitha rekomandimeve nga IKShP-ja për masat mbrojtëse në komunën që e udhëheqi e që do ta udhëheqi, pavarësisht se dikujt gjithmonë i ka penguar suksesi im, por shumica absolute e qytetarëve e vlerësojnë punën time të suksesshme në shërbim të tyre.