Detaje të reja rreth sulmit fizik ndaj kryetarit të FFK’së, Agim Ademi

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, momentalisht po intervistohet nga Policia e Kosovës rreth sulmit fizik i cili është kryer sot ndaj tij.

Burimet e Gazetës Express njoftojnë se policia ka pranuar informata se kush dyshohet se është sulmuesi i Ademit dhe pritet që i njëjti të intervistohet.

Jo zyrtarisht thuhet se dyshohet që Ademi është sulmuar nga dikush prej zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku qe një kohë ka pasur probleme të ndryshme në mes zyrtarëve dhe krerëve të lartë të saj, dhe nuk kanë munguar as raportimet për përleshje fizike brenda shtëpisë së futbollit.
“Rreth orës 11:00, jemi njoftuar për një sulm fizik në parkun e Gërmisë, ku lëndime trupore ka pësuar një person. Nga ana e policisë është nisë një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

Ahmeti nuk ka dhënë ndonjë hollësi rreth sulmit dhe se kush mund të jetë i dyshuari apo të dyshuarit. Por, mësohet se pas këtij sulmi Ademi është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore pas lëndimeve të pësuara.

Përndryshe, sot Ademi shënon ditëlindjen e tij të 60-të, për çka ishte uruar nga FFK.