Ethe e temperaturë, kosovarët tregojnë efektet që patën pas marrjes së “AstraZeneca”-s

Edhe Kosova si shumica e vendeve të tjera në rajon e më gjerë ka filluar me vaksinimin e popullsisë kundër pandemisë COVID-19.

Në kryeqytet autoritetet kompetente kanë përgatitur sallën “1 Tetori” që të shfrytëzohet si qendër e vaksinimit, ku prioritet i është dhënë vaksinimit të stafit mjekësor, personave të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike.

Kosova, e cila është furnizuar me vaksinat “AstraZeneca”, këtë proces e ka filluar që nga fundi i muajit mars.

E ndër personat që kanë marrë vaksinën është edhe 25-vjeçarja nga Prishtina, M.GJ. Ajo e ka kaluar COVID-in dy herë.

“Une e kam kaluar COVID-19 dy herë. Hera e parë ka qenë gjatë muajit korrik. Simptomat kanë qenë nga ato më të zakonshmet, pra kokëdhimbje, temperaturë, lodhje dhe dhimbje e muskujve. Pas kalimit të virusit kam rezultuar negativ me antitrupa. Andaj gjatë datës 13 nëntor, duke i pasur të njëjtat simptoma të COVID-it, i kam bërë analizat dhe kam rezultuar prapë pozitiv. Gjatë herës së dytë që kam dalë pozitiv me COVID kam pasur simptoma të zakonshme si: kokëdhimbje, temperaturë dhe probleme të theksuara të unazave”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Kokëdhimbje, ethe, temperaturë e dhimbje muskujsh kanë qenë përsëri disa nga efektet që M.GJ. ka pasur pas marrjes së vaksinës. Këto simptoma ajo i ka quajtur të njëjta me ato të COVID-19, por më të lehta.

“Pas marrjes së vaksinës kemi qëndruar në sallën ‘1 Tetori’ për rreth 15 minuta dhe gjatë asaj kohe kam filluar të kem kokëdhimbje, e cila ka zgjatur për tri ditë, si dhe gjatë këtyre tri ditëve kam pasur temperaturë, ethe, lodhje dhe dhimbje të muskujve. Pra simptoma si të COVID-it, mirëpo më të lehta. Pas tri ditëve nuk kam ndier asnjë simptomë”, ka thënë 25-vjeçarja.

Këso lloj simptomash ka pasur edhe Q.L., po ashtu 25-vjeçar.

Ai bën të ditur për se temperatura, lodhja e ethet i janë larguar pas ditës së tretë.

“Në muajin nëntor, pas disa simptomave të lehta, të cilat kanë përfshirë ethe dhe lodhje, jam testuar në Institut dhe kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Ndërsa, para një jave kam marrë vaksinën anti-COVID dhe ditën e parë nuk kam pasur ndonjë simptomë, kurse gjatë ditës së dytë dhe të tretë kam pasur simptoma të theksuara, të cilat kanë përfshirë rritjen e temperaturës, lodhje, dhimbje e muskujve dhe ethe. Në ditën e tretë këto simptoma janë zhdukur plotësisht”, ka potencuar 25-vjeçari.

Kurse A.G., 36-vjeçare, ka thënë se që në ditën e parë pas marrjes së vaksinës ka pasur shumë lodhje, saqë dhimbje ka pasur edhe deri në shputën e këmbës.

Ajo thotë se edhe pse janë bërë dhjetë ditë qëkur ka marrë vaksinën, ka ende disa simptoma.

“Ditën e parë kam qenë më e lodhur dhe e dërrmuar, pastaj nga mbrëmja kam pasur ethe, temperaturë, djersitje, lodhje, derisa edhe në shputën e këmbës kam pasur dhembje dhe si një therrje të trupit. Ditën e dytë prapë kam pasur lodhje, temperaturë, ethe, dhembje trupi dhe nga mbrëmja më e qetë. Nga këto simptoma tani jam në ditën e dhjetë dhe kam një nxehje të trupit kohë pas kohe”, u shpreh A.G.

Në anën tjetër, infektologu kosovar Salih Ahmeti ka thënë se këto efekte, si ethet, lodhja e temperatura, janë të zakonshme dhe kaluese.

Ai thotë se moshat e reja e kalojnë më lehtë këtë procedurë, pasi japin përgjigje imunologjike më të madhe.

“Janë të zakonshme në një numër të caktuar të rasteve, mund të ndodhin çështje të tilla, por zakonisht janë efekte kaluese. Unë i kam vërejtur këtu në praktikën e përditshme që nuk ka pasur efekte anësore, të cilat kanë mundur të jenë të dëmshme për shëndetin e pacientëve qe kanë marrë vaksinën. Moshat e reja japin përgjigje imunologjike më të madhe, më të shpejtë, atëherë reaksionet e tilla janë më të theksuara, për vetë faktin se përgjigja imunologjike e tyre është më e forte “, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti thotë se vaksinat “AstraZeneca”, me të cilat është furnizuar Kosova, japin një imunitet të mirë dhe sipas tij përfitimet që i marrin qytetarët nga kjo vaksinë janë më të mëdha në raport me efektet anësore.

“Vaksina ‘AstraZeneca’ është një prej vaksinave që, bashkë me ‘Pfizer’-in dhe ‘Moderna’-n, sot sidomos në vendet evropiane është në përdorim të gjerë. Nuk është asnjë vaksinë që nuk mund të ketë efekte të tipit anësor sikur ato të cilat i përmenda.

Sikurse edhe çdo barnë në mjekësi që përdoret në praktikën e përditshme, ku e ka një fletë shpjegimi ku i përshkruan përparësitë dhe efektet e mundshme anësore, kështu edhe barnat më të zakonshme i kanë disa efekte anësore të mundshme, por që asnjeëra prej tyre që rrezikojnë jetën e pacientit.

Në këtë rast edhe me ‘AstraZeneca’-n është një vaksinë e cila jep një imunitet të mirë, efekte anësore jo të rëndeësishme dhe përfitimet të cilat personat i marrin nga kjo vaksinë në raport me efektet anësore janë shumë më të mëdha ose efektet anësore në raport me përfitimet pothuajse janë të papërfillshme”, bëri të ditur infektologu.

Ahmeti është personi i dytë pas kryeministrit Albin Kurti që është vaksinuar me “AstraZeneca” në vend. Ai u shpreh se nuk ka pasur as shqetësimin më të vogël pas marrjes së vaksinës.

“Unë e kam marrë vaksinën. Personalisht asnjë efekt anësor nuk e kam pasur. As ethe, as temperaturë, hiç asgjë”, theksoi Ahmeti.

Në fund të marsit Kosova ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinave “AstraZeneca” dhe 20 mijë persona janë vaksinuar deri më tani në gjithë vendin kundër COVID-19.

Ndërsa edhe 95 mijë doza të tjera të vaksinave “Pfizer/BioNtech” pritet të vijnë në muajin maj në Kosovë. Kjo pasi Bashkimi Evropian ka ndarë 651 mijë doza te vaksinave “Pfizer/BioNtech” për shtetet e Ballkanit Perëndimor. /Zëri