Flet nëna e Kujtim Veselit: 25 vjet burgim janë pak, qysh më ka vdekë djali edhe vrasësi le të kallet për së gjalli

Nëna e 11-vjeçarit Kujtim Veseli, Makfire Ilazi, i cili rreth një vit më parë u dhunua seksualisht dhe më pas u godit për vdekje me mjet të fortë, është shprehur e pakënaqur me aktgjykimin dënues me 25 vjet burgim për Sefedin Osmanin.

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli Sefedin Osmanin fajtor për vrasjen e 11-vjeçarit dhe mbi supe i vihen dy vepra penale “Vrasje e rëndë” dhe “Dhunimi”.

Nëna e Kujtim Veselit, Makfirja i kërkon edhe 25 vjet shtesë burgim për personin që ia vrau djalin e madh, Kujtimin.

“Unë nuk jam e kënaqur me këtë dënim, jam e kënaqur me ja dhënë edhe një dënim tjetër. Qatëherë unë kënaqna, se për 25 vjet unë s’jam e kënaqur. Unë du me ja dhënë edhe 25 vjet, qysh më ka vdek mu djali, edhe ai le të kallet qaty për së gjalli, qysh mu ka kallë djali jem që ja kam harru edhe qehrën. Edhe qehrën ja kam harru…”, tha ajo për Gazetën Express.

Ajo tha se është emocionuar shumë kur ka marrë vesh për dënimin prej 25 vjetësh, ndërsa në seancë s’ka shkuar sepse shprehet se nuk mund ta shohë fytyrën e vrasësit të djalit.

“Sot s’kam mujt me shku në seancë se s’po muj me ja pa as çehren (vrasësit), s’kam mujt me shku”.

“Sot kur më tregoi avokatja, zemra m’u mbush gajle, kam emocione dhe shumë mërzi”, rrëfehet tutje nëna e Kujtim Veselit.

“I thash avokates pak janë këto vite burgim. Kemi me u anku me u rritë dënimi, se me këtë s’e la kurrë, deri në vdekje e ka prej meje”, tha ajo.

Jo larg shumë shtëpisë së Makfires ndodhet shtëpia e prindërve të Sefedin Osmanit, Gazeta Express ka tentuar të bisedojë edhe me ta, por të njëjtit kanë pohuar se nuk janë të gatshëm të flasin për media.

Ndërsa, nëna e Sefedinit, Ajshja, mes lotësh tha se dënimi prej 25 vjetësh për djalin e saj, “është shumë i madh”.

Avokatja e familjes së Kujtim Veselit, Rina Kika, megjithëse pohon se e mirëpret vendimin e gjyjkatës, paralajmëron ankesë në Gjykatën e Apelit për t’ia rritur dënimin vrasësit.

“Ne e mirëpresim vendimin e gjykatës për shpalljen fajtor të të akuzarit në dy pikat e akuzës. Megjithatë, konsiderojmë se gjykata ka mundur t’ia shqiptojë dënimin maksimal prej 35 vjetësh burgim të Akuzuarit, meqë Kodi Penal e kufizon gjykatën vetëm për sa i përket shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm ndaj personave nën moshën 21 vjeç. Por, jo edhe për shqiptimin e dënimit me burgim 35 vjet.

Prandaj ne do ta presim aktgjykimin e arsyetuar dhe do të parashtrojmë ankesë në Gjykatën e Apelit për t’ia rritur dënimin me burgim të Akuzuarit”, tha Kika për Gazetën Express.

Ndryshe, Sefedin Osmani më 11.07.2019 në Fushë Kosovë kishte detyruar të miturin Kujtim Veseli të kryente akt seksual dhe pastaj kishte përdorur dhunë ndaj tij, duke e goditur me mjet të fortë, ku si pasojë e këtyre goditjeve kishte ardhur deri te vdekja e dhunshme e tij.

Kështu duket sot vendi ku Kujtim Veseli humbi jetën tragjikisht, rreth një vit më parë.