Javën e ardhshme ekipi negociator, a do t’i shkojë opozita Thaçit?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka raportuar para Qeverisë për dialogun pas takimit të së dielës me Vuçiqin në Bruksel. U ka bërë thirrje liderëve politikë përfshirë edhe ata opozitarë për t’u bashkuar në grupin negociator. Ai tha se takimi tjetër me Federica Mogherini do të mbahet në një të ardhme të afërt.

“Gjatë javës së ardhshme pres nga liderët politikë pozitë dhe opozitë të ulemi për të konkretizuar ekipin negociator të Kosovës”, tha Thaçi.

“Ejani bëhuni pjesë e delegacionit dhe jepni dije në tryezë për argumentet dhe kundërargumentet. Ky do ishte vendimi i duhur dhe më i guximshëm, gjithçka tjetër tregon mungesë të përgjegjësisë dhe guximit”, theksoi ai.

Presidenti u shpreh i bindur se përfundimi i dialogut do të sjellë njohje reciproke mes dy palëve të përfshira.

“Të dielën e kaluar në takim ia bëmë të qartë se Kosova është e përcaktuar për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë, obliguese dhe ligjore me garanci ndërkombëtare”, u shpreh Thaçi.

“Në rast se ne refuzojmë dialogun, BE-ja do ta fajësojë Kosovën për dështimin e tij”, tha Thaçi. /Express

SHPËRNDAJE