Kontrata mes AKP-së dhe gazetës serbe Danas, keqpërdoren qindra mijëra euro

Agjencia Kosovare e Privatizimit nënshkroi një kontratë të dyshimtë në vlerë të përgjithshme prej 205 mijë eurove me gazetën serbe Danas, me qëllim promovimin e shpalljeve në këtë gazetë. Auditori Gjeneral ka gjetur se në këtë kontratë janë bërë keqpërdorime. AKP ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesës së Insajderit për sqarime lidhur me kontratën qindra mijëra euroshe.

Pa plan konkret të menaxhimit, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) nënshkroi një kontratë në vlerë të përgjithshme prej 205,000 eurove me gazetën serbe “Danas” – konkretisht me firmën Dan Graf që udhëheq me këtë gazetë.

Kontrata e nënshkruar më 5 shkurt të vitit 2016, sugjeron se AKP ndau 205 mijë euro për gazetën serbe Danas për promovimin e aktiviteteve te saj brenda territorit të Serbisë.

Në njoftimin për dhënie kontrate, të publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dy vite më parë, thuhet se dhënia e kësaj kontrate përbën një obligim ligjor për AKP-në, në mënyrë që t’i informojë palët e përfshira në proceset e privatizimit, e që jetojnë në Serbi.

“Obligimet ligjore theksojnë nevojën që procesi i privatizimit/likuidimit të promovohet në mënyrë sa më të mirë të mundshme, që të bëhet informimi i drejtë i të gjitha palëve të interesit, duke përfshirë”, thuhet në përshkrimin e kontratës në vlerë prej 205 mijë eurove.

Mirëpo, në këtë kontratë ku gazeta serbe Danas përfitoi mbi 200 mijë euro në vit nga Agjencia Kosovare  e Privatizimit (AKP) dyshohet se janë bërë keqpërdorime financiare me tender.

Dyshimet për keqpërdorime i ka ngritur Zyra Kombëtare e Auditorit në Kosovë, e cila në Raportin e Auditimit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017 thekson se në dy mostra të prokurimit nga AKP është vërejtur se ka pasur mungesë të planit të menaxhimit të kontratës.

Dyshohet se marrëveshja qindra mijëra euroshe e AKP-së me gazetën serbe Danas nuk është realizuar sipas kontratës.

“Në dy mostra të prokurimit, vërejtëm që mungon plani i menaxhimit të kontratës, e cila është kërkesë e udhëzuesit operativ të prokurimit publik”, ka gjetur Auditori Gjeneral, teksa ka vënë në pah edhe keqpërdorimet e bëra nga kontrata e nënshkruar mes AKP-së dhe gazetës Danas.

Auditori Gjeneral ka shprehur shqetësim se mos përgatitja e planit të menaxhimit të kontratës rritë rrezikun që “AKP-ja të mos ketë kontrolle të mjaftueshme në realizimin e kontratave dhe si pasojë të shfaqen mangësi apo pengesa në realizimin e kontratave”.

Insajderi i ka dërguar pyetje Agjencisë Kosovare të Privatizimit ku i ka kërkuar sqarime për kontratën e dyshimtë që ky organ i pavarur publik ka nënshkruar me gazetën serbe Danas, mirëpo AKP nuk ka kthyer përgjigje.

AKP thotë se favorizoi gazetën Danas për shkak të çmimit të ulët

Pavarësisht se ndau 205 mijë euro për gazetën Danas, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka thënë se çmimi i ofruar nga kjo gazetë “ka qenë 50% deri në 100% më i lirë sesa gazetat e tjera ditore në Serbi”.

Në përshkrimin e kontratës, të nënshkruar dy vite më parë e që kishte kohëzgjatje 1-vjeçare, AKP është shprehur se me kërkesë të Departamentit të Koordinimit dhe Likuidimit brenda agjencisë, është kërkuar vazhdimi i kontratës me gazetën Danas.

“Çmimet e ofruara nga Gazeta Dan Graf- Danas janë 50-100% me te lira se gazetat tjera ditore ne Serbi”, thuhej në përshkrimin e kontratës.

“Për shkak te bashkëpunimit korrekt nga ana e këtyre dy gazetave dhe çmimeve shume me te ultë se gazetat tjera, me kërkesën e Departamentit te Koordinimit dhe Likuidimit është kërkuar vazhdimi edhe me tutje me këto gazeta duke nënshkruar e kontratat e reja me kohëzgjatje prej 12 muajsh”.

Por, pavarësisht se AKP e ka cilësuar të favorshëm ofertën e gazetës Danas – që ka vlerë mbi 200 mijë euro – agjencia e pavarur publike paguan shuma të cilat janë shumë herë më të ulëta, për t’i promovuar shpalljet e saj në gazetat kosovare.

AKP po ashtu ka thënë se është obligim ligjor publikimet e shpalljeve të agjencisë në dy vendet fqinje: Serbi dhe Mal të Zi.

“Është obligim ligjor që përveç publikimeve të lartcekura në gazetat vendore jemi të obliguar që njoftimet t’i publikojmë edhe në një gazete në Serbi dhe një gazetë në Mal te Zi”, ka thënë AKP, në përshkrimin e kontratës.

Insajderi ka raportuar rreth dy muaj më parë edhe për pagat e majme që marrin shefat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Shefat e AKP-së ia kalojnë me paga edhe presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit të vendit. Madje, me vetëm një ditë pune në javë, anëtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), marrin para më shumë se Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës dhe shumë zyrtarë tjerë të shtetit.

Pagesat e majme për Shefat e AKP-së

624 euro është shuma e meditjes, që buxhetit të vendit, ia merr kryesuesi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për një mbledhje të vetme. Zëvendësi i tij për një mbledhje paguhen në shumë prej 552 euro, kurse gjashtë anëtarët tjerë të AKP-së, paguhen me nga 480 euro për secilën mbledhje.

Ata mblidhen vetëm 12 herë brenda vitit, pa llogaritur mbledhjet e pa përfunduara dhe ato urgjente, dhe për këto mbledhje i kushtojnë buxhetit të shtetit të paktën 292 mijë euro të taksapaguesve kosovarë brenda vitit, vetëm për gjashtë anëtarët e bordit, duke mos e llogaritur kryesuesin dhe zëvendëskryesuesin.