Misteri i largimit të ministres së arsimit në Shqipëri, Besa Shahini

Njerëzit që merren me politikë, sidomos ata që përbëjnë rrethin e përafërt të pushtetit, janë habitur disi nga një njoftim i papritur, i ministres së arsimit, Besa Shahini, se do të largohej nga politika për të mos kandiduar më në zgjedhjet e 25 prillit, duke mos synuar një mandat të ri ministror.

Me përjashtim të një ‘aksidenti” në fillim të mandatit, kur Ilirian Celibashi u largua nga qeveria e rilindjes me dorëheqje, në një botë ku të gjithë kacavirren e lëpihen pas pushtetit, veprimi i Shahinit shkaktoi një çudi. Pak kush e besoi arsyen që ajo tha publikisht, se donti ti përkushtohej jetës familjare dhe familjes së re që ka ngritur me një nga idhtarët e së majtës kosovare, kundërshtarin dhëmb për dhëmbë të Albin Kurtit, Dardan Molliqajn.

“Jeta ime është pakëz e paqëndrueshme në Shqipëri, duke marrë parasysh që e gjithë familja jeton në Kosovë. Dhe ne përkundër gjithë afrimit që kemi bërë mes Kosovës dhe Shqipërisë prap jemi dy shtete të ndara. Në këto momente kur ka probleme sikur këto që jemi ballafaquar në Shqipëri, prap se prap e sheh se nëse jeton me familjen larg, në dy vende të ndryshme është pak e vështirë të mirëmbahet gjithë kjo pjesë e punës, që është një ngarkesë e madhe. Por, unë natyrisht i kam thënë kryeministrit Rama që jam në dispozicion që të shërbej për aq kohë sa ende jam duke sjellë vlerë në ndërtimin e politikave arsimore dhe në zbatimin e tyre në qeveri”, tha ajo për ‘Ilva Now’ në Euronews Albania.

Martohet ministrja Besa Shahini, dalin PAMJET nga dasma në Tiranë Dardan Molliqaj e Besa Shahini nisin pushimet në bregdetin shqiptar – Periskopi
Por Lapsi.al ka investiguar burime pranë ministres së arsimit dhe rrethit të afërt të kryeministrit Rama, për të kupuar më shumë nga kjo tërheqje aspak tipike.

Pse duhej që Besa Shahini të largohej në një mënyrë tejet surprizuese, po ashtu siç u bë e njohur për publikun shqiptar?

Versionet që japin palët janë tejet kundërthënëse, por të dyja konvergojnë një një pikë: ato nuk kanë lidhje me versionin zyrtar se ajo po largohet për motive martesore.

Burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se ajo mbeti një mish i huaj në këtë parti: “Ajo po del në të njëjtën mënyrë sikurse u katapultua”, tha njëri prej tyre për Lapsi.al. Ajo nuk dëgjonte këkrkënd për emërime në strukturat e arsimit në zonat e nxehta elektorale, ajo mbeti si një UFO mes rilindasve, ajo nuk i përgjigjej nevojave që partia kishte për arsimin, janë vërejtejet më të shumta kundër saj në selinë rozë.
“Ne nuk mund të mbajmë në mesin tonë një ministre që nuk ka të ruajtur në celularin e saj numrat e telefonit të Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës” tha një burim nga PS për Lapsi.al.

Edhe në selinë e kryeministrit zërat e pakënaqësisë janë të forta, sidomos pas refuzimit të Shahinit për të zbatuar orientimet e të gjithëpushtetshmit Engjëll Agaçi.
Por, mësohet se pika që e derdhi gotën ka qenë një replikë me Ramën në mbledhjen e qeverisë. Ndërkohë që me stilin e tij të bërë bajat, kryeministri e kishte qesëndisur me ironi Besën, kjo e fundit ia ka kthyer: “Zoti Kryeministër, ju nuk jeni këtu për të na stigmatizuar, nëse keni ndonjë vizion për problemin që po diskutojmë mund të na e thoni”.

Vetëm pak kohë pas këtij fërkimi, që të gjitha ato që krihen para pasqyrës vetëm me qëllimin për ti pëlqyer shefit, e etiketuan si nevrastenike të çmendur, Besa Shahini e njoftoi shefin e saj se ajo nuk do të vazhdonte më rugëtimin me të.

Pra shkurt për rilindasit e zakonshëm Besa qe një e huaj që nuk u bë kurrë si ata, prandaj duhej të largohej.

Por, një version krejt të ndryshëm japin njerëzit pranë ministres që ende vazhdon të qëndrojë në detyrë. Sipas tyre dy motive e shtynë këtë të re nga Kosova të supershkolluar në Kanada, të pranonte ofertën e Ramës: Patriotizmi i mbrujtur në ish shkollën e Vetëvendosjes dhe besimi se shoqëritë tona mund të shkojnë përpara vetëm përmes ideve të së majtës.
Për shumë kënd që e njeh mirë Shqipërinë reale, do të dukej naivitet që këto vlera ti kërkoje të mbrujtura tek Rama dhe rlilindja, por me sa duket Besa Shahini, pati disavantazhin e atyre që gjërat i shohin nga larg.

Realiteti qe krejt i ndryshëm.

Ministrja që mori postin pas protestave të mëdha studentore, vuri re, dalë ngadalë, se “pakti për universitetin” qe vetëm një mashtrim për të kaluar lumin që ajo nuk do të mund ta vinte kurrë në jetë. Edhe indiferenca e Ramës për mënyrën e turpshme, sa të manipuluar aq edhe të politizuar, me të cilën u zhvilluan zgjedhjet në univeristete, i la ministres një shije të hidhur. Ndoshta këtu duhet kërkuar hipoteza e dytë se ku ka lindur ideja për të mos u bërë pjesë e një të keqeje që nuk e ndalonte dot.

“Ajo ndjente neveri kur Erion Veliaj e thërriste në inagurimet e me kamera dhe pompë të shkollave, ku ministrat trajtoheshin vetëm si aktorë që xhironin një spot televiziv”, tregon një reporter i rubrikës soiale ka ndjekur një sërë aktivitetesh në Tiranë. Edhe në Kosovë, ku Besa ka ruajtur miqësitë e saj më të vërteta, ajo është konfiduar se qeverisja ku bën pjesë, nuk ka asnjë lidhje me të majtën që ajo ka në kokë. Por, këtij zhgënjimi të brendëshëm, që binte ndesh edhe për së jashtmi me zonjat e tjera të rilindjes, që mbanin çanta Louis Vuitton dhe këpucë Louboutin, ministrja me veshjen monotone të një gjimnazisteje kolegji, i shtoi edhe padëshirën për tu hequr ajo që nuk është, në kronika televizive dhe në shitjen e punëve fallco të qeverisë. “Deviza e saj ka qenë më mirë bëj dy punë që ke mundësi, sesa të shesësh me pompë një gjysëm nisme të papërfunduar”, thotë një i afërërm që pretendon se e njeh mirë.

Në fakt, pas largimit, zor se dikush do të mundet të numërojë, punët që bëri që prej dhjetorit 2018, Besa Shahini. Në një qeveri ku mësuesit trajtohen me modelin e përgjimeve të publikuara nga dosja e përgjimeve të Bild, në Dibër, vështirë të kujtohesh për reforma të kryera në arsim. Por pavarësisht kësaj, Besa Shahini, mund të ngushëllohet me dy gjëra, se ndonëse mungesa e fuqisë dhe guximit e pengoi ta ndalonte të keqen, ajo nuk u bë pjesë e saj. Se së dyti ajo arriti ti rezistojë sirenave të kudondodhura të korruptimit nga të cilat u tunduan pjesa më e madhe e kolëgëve që pati në krah.

Në këtë kuptim, ajo mbeti vërtet një mish i huaj, ashtu siç e përshkruajnë rilindasit e vërtetë, nga të cilët tani po largohet e zhgënjyer, ndonëse për të ikur po përdor justifikimin e arsyeve familjare.