Norvegjia i dhuron FSK-së 100 respiratorë

Qendra Mjekësore e Forcës së Sigurisë së Kosovës u pasurua me pajisje shëndetësore falë ndihmës së shtetit të Norvegjisë që i dhuroi ato në formë donacioni të premten.

Për këtë njoftoi vetë ambasadori norvegjez, Jens Erik Grondahl, që u prit nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Ne po jetojmë në një kohë shumë të vështirë tani me pandeminë dhe jemi shumë të nderuar që jemi në gjendje të sigurojmë këtë donacion për Kosovën. Është një mbështetje në aspektin mjekësor për FSK-në dhe gjithashtu për gatishmërinë dhe pajisjet emergjente të FSK-së”, ka thënë ai.

I pari i mbrojtjes tregoi se donacioni kap vlerën rreth një milion euro.

“Donacioni i sotëm përfshin sasinë prej 100 respiratorësh dhe kap vlerën, ku përfshihen trajnimet dhe suportin që do të na japë, rreth një milion euro”.

Sipas Mehajt, ndihma e dhënë mund të përdoret edhe nga spitalet tjera që kanë nevojë dhe trajtojnë rastet me koronavirus.

FSK-ja që nga fillimi i pandemisë ka shprehur gatishmërinë për t’i ndihmuar institucionet e tjera në luftën kundër COVID-19.