Policia të shtunën realizon aksion të rrezikshëm në veri

Me një urdhër operativ Policia e Kosovës ua ka ndërprerë shkuarjen në pushime pjesëtarëve të uniformuar të saj, duke thënë se kjo po bëhet për shkak të angazhimeve operacionale.

Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se Policia e Kosovës e ka dhënë këtë urdhër, pasi që po përgatit për një aksion të rëndësishëm ditën e shtunë, ku do të ndërhyhet në veri të vendit.

“Të shtunën do të realizohet një aksion i rëndësishëm në veri, i cili është me shkallë të lartë të rrezikut. Për shkak të këtij aksioni strukturat paralele dhe kriminale serbe mund të organizojnë trazira në veri”, thotë burimi i Veriu.info.

Mësohet se ky aksion do të bëhet direkt kundër interesave të bosit të nëntokës së veriut, Milan Radojiçiqit, i cili së fundmi është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe.

Kujtojmë se javën e kaluar presidenti Hashim Thaçi ka folur për zbardhjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, vepër që është kryer në Mitrovicën e veriut, ku ka thënë se në momentin kur do të zbardhet e vërteta mbi këtë vrasje, do të ketë “kokëdhimbje” edhe në Beograd, por edhe në Prishtinë. Milan Radojiçiq është personi që më së shumti është akuzuar në opinion për organizimin e atentatit ndaj Oliver Ivanoviqit.

Ndryshe, në verën e vitit 2011 Policia e Kosovës kishte nisur një aksion në veri, si pasojë e të cilit mbi i vrarë polici Enver Zymberi, vrasësi i të cilit nuk u zbulua kurrë. Opozita për këtë aksion e ka akuzuar vazhdimisht presidentin Thaçi, duke thënë se aksioni ishte nisur për të shkaktuar trazira në veri në mënyrë që të legjitimohen bisedimet në Bruksel me Serbinë.

Javëve të fundit presidenti Thaçi ka hapur temën e ndarjes së Kosovës, me arsyetimin e tij se gjoja Lugina e Preshevës do të mund t’i bashkohet Kosovës dhe në fund të arrihet njohja e Kosovës nga Serbia./Veriu.info/