Shkruan Imer Mushkolaj: Ata nuk janë skllevër

Bizneset nuk po munden të gjejnë punëtorë, sepse shumë nga to nuk iu ofrojnë atyre kushte për punë e pagë të dinjitetshme. Të shtypur e të pa pavlerësuar, ata kërkojnë zgjidhje të tjera, si migrimi jashtë. Punëtorët duhet trajtuar me dinjitet, e jo si skllevër.

Imer Mushkolaj

Nuk ka pasur asnjëherë më shumë kërkesa nga bizneset kosovare për punëtorë dhe, njëkohësisht, pakënaqësi më të mëdha të punëtorëve në bizneset ku punojnë. Pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës, oraret e tejzgjatura dhe mungesa e kontratave vazhdimisht janë përmendur si arsye kryesore të pakënaqësisë së punëtorëve me punëdhënësit në sektorin privat.

Problemi nis që nga moszbatimi i ligjit të punës, që iu konvenon punëdhënësve, por kjo qasje dëmton punëtorët dhe shtetin. Kategori specifike të punëtorëve punojnë shtatë ditë në javë, të tjerë kanë një ditë të lirë në dy javë, kurse në rastin më të mirë një ditë pushim në javë. Punëdhënësit janë ata që ankohen vazhdimisht, por një pjesë jo e vogël e tyre vazhdon të funksionojë duke shkelur ligjin, duke shkelur të drejtat e punëtorëve dhe duke ndikuar që pakënaqësia në mesin e tyre të rritet.

Është e vërtetë se në Kosovë mund të punohet, ka vende pune. Por, pyetjet që duhet shtruar janë: çfarë janë këto vende pune, çfarë janë kushtet e punës, çfarë pagash iu ofrohen punëtorëve, a trajtohen ata me dinjitet?

Një pjesë e madhe e punëtorëve në sektorin e shitjes me pakicë shtypen nga punëdhënësit. Djem dhe vajza të reja përveç që punojnë si shitës, ata edhe pastrojnë, ngarkojnë e shkarkojnë mall, nuk kanë kontrata e as pushim sipas ligjit. Në kushte të vështira punojnë edhe punëtorët e kompanive të sigurimit. Ndërkaq, paga minimale që ata marrin nuk i mbulon as për së afërmi shpenzimet e jetesës.

Mijëra të rinj presin për viza pune, për t’u zhvendosur kryesisht në Gjermani. Shumë nga ta nuk janë pa punë, e kanë një punë, por jo një vend pune që iu ofron kushte dhe pagë të dinjitetshme.

* * *

Se si trajtohen një pjesë e punëtorëve të sektorit privat nga punëdhënësit është vërtetuar vitin e kaluar, gjatë kohës së pandemisë. Ndihma financiare shtesë, ofruar për punëtorët, iu është zbritur atyre në pagën që marrin.

Ndërkohë, vdekjet e punëtorëve në vendet e punës, sidomos në ndërtimtari, mbeten shqetësuese. Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë vdekur 11 punëtorë dhe janë lënduar 160 të tjerë. Në një rast, një kompani është dënuar me vetëm dy mijë euro, për vdekjen e një 17 vjeçari, i cili nuk kishte kontratë pune.

Një një situatë normale, ata që punojnë në ndërtimtari do të duhej së pari të kishin siguri për jetën e tyre. Respektimi i ligjit përkatës as që do të duhej diskutuar. Siç do të duhej nënkuptuar respektimi i ligjit edhe për qindra e mijëra punëtorë në të tjera biznese.

Pronarët e shumë bizneseve në Kosovë duan të fitojnë shumë, pa përfillur ligj dhe në kurriz të punëtorëve. Po të duan të punojnë drejt ata dhe mund të fitojnë mjaft, por edhe mund t’i trajtojnë punëtorët si duhet, e jo si skllevër.

Çfarë motivi mund të ketë një i ri ose një e re që të punojë në një kompani private, kur nuk ka kontratë, nuk i paguhen kontributet, paguhet dobët dhe punon me orar të tejzgjatur? Si presin pronarët e bizneseve që të tillët të tregohen efikas e efektivë në punë, kur ata nuk kanë asnjë lloj sigurie se me pagën që marrin mund të jetojnë dinjitetshëm sadopak?

Deri më tash institucionet përkatëse, respektivisht inspektoratet e punës, janë treguar tejet neglizhentë në kontrollin dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit. Jo rastësisht numri i inspektorëve është i vogël krahasuar me nevojat, ekonomia e zezë lulëzon e pakënaqësia në mesin e një pjese të madhe të punëtorëve të sektorit privat vazhdon.

Lëvizja Vetëvendosje, që tash ka fuqi absolute në pushtet, sa ka qenë në opozitë vazhdimisht ka reaguar ndaj shkeljes së të drejtave të punëtorëve. Tash e ka rastin të ndërmarrë hapa për të vendosur rregull e ligj në këtë sektor. Vendosja e drejtësisë për punëtorët e shtypur është domosdoshmëri.

* * *

Përpara se të kërkojnë përgjigje për mungesën e punëtorëve dhe t’i etiketojnë ata si dembelë, shumë punëdhënës do të duhej që përgjigjen ta kërkojnë te vetja, te qasja dhe sjellja që kanë karshi tyre. Përpara se t’i kritikojnë të rinjtë se nuk po duan të punojnë, ndonëse ka punë boll, ata duhet të ndërrojnë mënyrën se si i trajtojnë ata – jo si do njerëz që “ua mbajnë shpirtin me bukë”, por si qytetarë që duhet paguar e respektuar. Si qytetarë, të cilëve duhet krijuar mundësi të ndihen mirë në vendin e punës, të mbrojtur nga ligji e jo në mëshirë të punëdhënësit. Sepse, ata nuk janë skllevër, kanë dinjitet dhe duan të punojnë ndershëm.