Si për Soleimanin, Rouhani “e lan gojën” edhe për shkencëtarin: Do të hakmerremi

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka thënë se vendi i tij do të hakmerret për vrasjen e një shkencëtari të rëndësishëm bërthamor, por se do ta presë kohën e duhur për këtë.

“Irani do të hakmerret për vrasjen e shkencëtarit në kohën e duhur”, tha Rouhani gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion të shtunën, një ditë pasi Mohsen Fakhrizadeh u vra në pritë.

Kreu i republikës islamike e fajësoi Izraelin për këtë vrasje, por tha se populli i tij nuk do të bie në granckën e këtij shteti, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

“Njerëzit tanë janë më të zgjuar sesa për të rënë në kurthin e regjimit zionist (Izraelit). Irani sigurisht do të kundërpërgjigjet për martirizimin e shkencëtarit tonë në kohën e duhur”, shtoi Rouhani.

Presidenti iranian premtim të ngjashëm kishte dhënë edhe për vrasjen e komandantit të forcave Quds, Qassem Soleimani, i cili u vra nga forcat amerikane përmes një sulmi me dron në Irak në janar të këtij viti.

Irani sulmoi me raketa afër disa bazave ushtarake të forcave amerikane në Irak, por gjatë këtij sulmi nuk u shënua asnjë viktimë. E vetmja “arritje” e Iranit ishte shkaktimi i traumave psikologjike te disa ushtarë amerikanë.