Tahiri tregon prapaskenat për njohjen reciproke në Washington

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri tha se në Shtëpinë e Bardhë është menduar edhe njohja reciproke me Serbinë, por se askush s’e ka pritur që për një moment të nënshkruhet.

Megjithatë, ai si shumë pozitive po e sheh që se janë trajtuar krejt barabartë me Serbinë dhe se atje u nënshkrua një marrëveshje që sjell një varg projektesh infrastrukture.

Por, për pikën e Ujmanit që ngjalli shumë debat sot në Kuvendin e Kosovës, Tahiri tha se argumentet janë në anën e Kosovës dhe se nuk beson që kryerja e fizibilitetit nga SHBA do të jetë e paanshme.

“Aty është një liqen që është pronë e Kosovës që është ndërtuar nga Kosova. Por, tash kjo varet nga argumentet që ne i sjellim. Ka shumë të dhëna në raport me këtë projekt, ka edhe evidencë të saktë për investime sepse realisht është pronë e Kosovë, por me disa kilometra del edhe në Serbi”.

Edhe pse Tahiri tha se marrëveshja nuk e bën hisedare, por megjithatë Ujmanin e konsideron çështje që duhet ngritur alarmi pasi që rreziku do të ekzistojë deri në fund pasi që Serbia do të merr sa më shumë prej Kosovës.

I dyti i ekzekutivit tha që shefi i tij e ka siguruar edhe personalisht që nuk do të krijojë asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Platforma jonë politike e prezantuar nga Hoti është e shkurtë, por sistematike. Pika e dytë e kësaj platforme është që nuk do të preket sistemi unitar dhe kushtetutshmëria që nuk krijojmë një shtet të dytë. Në asnjë moment as kryeministri Hoti dhe askush tjetër nuk guxon ta prekë sistemin qeverisës të Kosovës. Loja e Serbisë ka me qenë që përmes asociacionit, përmes ndonjë dritare të vogël të ketë ndikim në Kosovë”.

Ndërkaq, për alarmin e ngritur për rrezik për këtë temë nga presidenti i vendit, ai kritikoi moskomunikimin e tij dhe të Hotit.

“Një ditë nuk rri në Qeveri nëse ka rreziqe. Hoti ma ka konfirmuar, më ka siguruar personalisht që s’do të ndodhë”.

Por, për dialogun që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë në tentativën për ta përmbyllur procesin e normalizimit të plotë, Tahiri në Edicionin Special tha se fatkeqësisht pala kosovare s’është e përgatitur sa duhet.

“Nuk jemi të përgatitur sa duhet. Ne mund ta pësojmë, por s’jemi në këtë fazën e dialogimit apo negocimit shumë aktiv. Rritja e vigjilencës, rritja e aspektit studimor, d.m.th me u ulë dikush me e nxe karrigen, me i këqyrë elementet me shumë hollësi, s’ka. Ne nuk jemi ende në këtë fazë. A jemi të përgatitur institucionalisht, a jemi të përgatitur një si komb, çka ndodhë me Gjykatën Speciale? Është çështja e pandemisë – a i kemi rrogat për t’i dhënë deri në fund të vitit? Rreziku prej Serbisë ka përfunduar duhet të merremi me këto tema”.

Sikurse që tha Hoti gjatë fjalimit në Kuvend për nismën e Mini-Shengenit se do të kujdeset që Kosova të hyjë e barabartë – edhe Tahiri tha se këtu ka dallim mes Mini-Shengenit të mëparshëm dhe atij të Washingtonit.

SHPËRNDAJE