Xhafer Tahiri: Kërkoj një mandat të dytë pasi i kam përmbushur zotimet e mia

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se jeta në qytetin e Vushtrrisë gjatë mandatit të tij të parë është përmirësuar dukshëm, dhe se ai i ka përmbushur zotimet, dhe premtimet e dhëna në zgjedhjet e vitit 2017.

“Natyrisht që këto katër vite unë dhe familja ime bashkë me qytetin e Vushtrrisë kemi parë rritjen ndryshimin, dhe sfidat e një qyteti, i cili është qytet i ëndrrave tona, është qytet i shpresave tona”

“Ne kemi parë që në këto katër vite qyteti i Vushtrrisë ka ndryshuar për mirë, jeta në qytet dhe në fshatrat e Vushtrrisë është përmirësuar dukshëm, unë i kam përmbushur me përkushtim të gjitha zotimet e mia për qytetarët e Vushtrrisë, dhe e kërkoj një mandat të dytë, dhe e kërkoj besimin e qytetarëve të Vushtrrisë me votë për të vazhduar ndryshimin, dhe transformimin e qytetit që të gjithë e duam, një qytet i cili ka një histori të lashtë, një qytet i cili njerëz të mrekullueshëm, një qytet ishte harruar dhe ishte vendosur jashtë hartës së të qyteteve të Kosovës për një periudhë shumë të gjatë, nga qeverisjet e kaluara, një qytet që tash është në vrullin e zhvillim të vet në pesë qytetet me zhvillimin me të hovshëm ekonomik në krejt Kosovën, në transformim të madh në infrastrukturë në projekte që e kanë përmirësuar rrënjësisht jetën e qytetarëve të Vushtrrisë”, tha Tahiri.

Tutje Tahiri ka thënë se komuna e Vushtrrisë po ofron shërbime për qytetarët të cilat nuk ishin ofruar në qeverisjet e kaluara.

“Deri para katër viteve kishin një komunë që fare nuk interesohej as për ujin as për mbeturinat as kur vdiste dikush në një familje, sot në qytetin e Vushtrrisë kemi një komunë që kur te vdes dikush në shtëpi i mbulon shpenzimet, komuna, kur lindë dikush i ndan 120 euro për lindje. Kujdeset për mbeturinat, për ujin, për rrugët , për ndriçimin , për çerdhet, për shkollat, dhe kjo është detyra e një qyteti që të ofrojë shërbime të mira për qytetarët”, tha Tahiri në ‘Prime Time’, në Kanal10.